Manifestime pro e kundër Trump, një person qëllohet për vdekje

Një person u qëllua për vdekje në Oregon, SHBA, ndërsa një grup i madh mbështetësish të presidentit amerikan Donald Trump, u përlesh me protestuesit e lëvizjes “jetët e personave me ngjyrë kanë vlerë” në Portland.

Imazhet nga vendi i ngjarjes treguan mjekët teksa përpiqeshin të shpëtonin personin e qëlluar. Policia nuk e ka bërë të ditur identitetin e viktimës e as ka sqaruar nëse vdekja e tij lidhej direkt me përleshjet që shpërthyen në zonë.

Mediat raportojnë se burri mbante slogane të së djathtës ekstreme. Rrugët e Portland janë bërë skenë e protestave të vazhdueshme gjatë javëve të fundit.

Qyteti u shndërrua në epiqendër të demonstratave kundër brutalitetit policor dhe racizmit që prej vrasjes së afro-amerikanit George Floid nga policia në Mineapolis më 25 maj.

Ndërkaq, në qytet për të tretën të shtunë radhazi mbahen edhe manifestime në mbështetje të presidentit Trump.