Ndryshime në listën e Shqipërisë, Kumbulla do të grumbullohet

shqiperiaaa 1100x620

Të hënën, kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë grumbullimin për dy ndeshjet e para të këtij sezoni të Ligës së Kombeve, mes problemeve të krijuara për shkak të pandemisë, por edhe dëmtimit të lojtarëve.

Federata dhe stafi i Kombëtares po punojnë për zgjidhjen e problematikave që janë hasur në lidhje me lëvizjet e futbollistëve nga njëri vend në tjetrin për shkak të masave kufizuese të imponuara nga pandemia COVID-19.

“Bëjmë me dije se vazhdojnë bisedimet me qeverinë zvicerane për të bërë të mundur prezencën e dy lojtarëve, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, të cilët nuk mund të dalin jashtë kufijve të Zvicrës për shkak të masave kufizuese. Ende nuk ka një përgjigje përfundimtare, teksa FSHF është në kontakt të vazhdueshëm, edhe me ndihmën e UEFA-s, për të bërë të mundur grumbullimin e këtyre dy lojtarëve për dy ndeshjet e shtatorit”, njofton FSHF.

Një mungesë e sigurt për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë më 4 shtator është ajo e talentit Armando Broja, i cili është i skualifikuar për shkak të një kartoni të kuq të marrë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren U-19. Me shlyerjen e skualifikimit, sulmuesi i ri do të jetë nën urdhrat e trajnerit Edoardo Reja dhe i gatshëm për të luajtur për ndeshjen e dytë ndaj Lituanisë.

Në këtë situatë, Reja ka thirrur edhe Endri Çekiçin për ta pasur në dispozicion në rast të ndonjë mungese tjetër.

Lajmi i mirë është se për këto dy ndeshje do të grumbullohet talenti i mbrojtjes, Marash Kumbulla, i cili më pas do t’i nënshtrohet testeve mjekësore. Pas rezultateve të testeve, ekipi mjekësor do të mund të dalë në një konkluzion nëse mbrojtësi do të jetë i gatshëm ose jo për dy ndeshjet e radhës.