Protesta kundër kufizimeve, mbi 38 mijë persona dalin në rrugë në Gjermani

Rreth 300 manifestues u arrestuan në Berlin gjatë protestave kundër kufizimeve për frenimin e pandemisë së Covid-19.

Mbi 38 mijë persona dolën nëpër rrugë, në ato që përgjithësisht ishin protesta paqësor. Trazira pati pranë portës së Brandenburgut, ku një grup manifestuesish refuzoi t’i bindej urdhrit të policisë për t’u shpërndarë, për shkaqe sigurie.

Të paktën 200 pjesëtarë të grupit, që sipas autoriteteve ishin anarkiste të së djathtës, u vunë në pranga pasi goditën efektivët me gurë dhe shishe. Disa nga manifestuesit thyen kordonin e sigurisë në godinën e Reichstag dhe u shpërndanë nga policia që hodhi gaz lotsjellës. Deutsche Welle raportoi se flamuj dhe bluza me slogane që mbështesnin të djathtën ekstreme u panë mes turmës.

Një tjetër grup prej rreth 30 mijë vetësh marshoi paqësisht pranë zonës. Protesta u organizua përmes rrjeteve sociale nga lëvizja Querdenken që beson se kufizimet ndaj koronavirusit shkelin të drejtat dhe liritë themelore. Protestat u mbështetën edhe nga Robert Kenedi Jr, aktivist kundër vaksinës dhe nip i presidentit të vrarë John Kenedi.

Edhe pse Gjermania deri më tani ka parandaluar një valë rastesh të reja si ato që po shihen në qytete të tjera europiane, niveli i infektimit atje është rritur ndjeshëm. Kancelarja Merkel dhe 16 shtetet federale njoftuan një gjobë prej 50 eurosh për ata që nuk mbajnë maska atje ku kërkohet dhe ndaluan grumbullimet e mëdha publike deri vitin e ardhshëm.

Manifestime të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera europiane me disa prej pjesëmarrësve që e quajtën një mashtrim koronavirusin. Mijëra vetë u mblodhën  në sheshin “Trafalgar” të Londrës për të kundërshtuar kufizimet, mbajtjen e maskave dhe rrjetin 5G. Skena të ngjashme u panë edhe në Paris, Vjenë dhe Zyrih.