
Votim në pandemi, qytetarët zgjedhin sot parlamentin e ri në Malin e Zi
Qytetarët në Mal të Zi votojnë sot për parlamentin e ri, si dhe për Asamblenë Komunale në pesë komuna.
Këto zgjedhje janë mjaft të rëndësishme për Malin e Zi, veçanërisht lidhur me aspiratat e vendit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Partia aktualisht në pushtet, Partia Demokratike e Socialistëve, ka drejtuar vendin pa ndërprerje që nga viti 1991. Mbajtja e zgjedhjeve nën situatën e pandemisë globale COVID-19 paraqet një sfidë të shtuar.
Nga dymbëdhjetë lista kandidatësh që aplikuan për të garuar në zgjedhjet parlamentare, shtatë të paraqitura nga parti politike dhe pesë nga koalicione, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve regjistroi njëmbëdhjetë, pesë prej të cilave përfaqësojnë pakica kombëtare, dy shqiptare, një boshnjake dhe dy kroate. Zgjedhjet do të mbahen për të zgjedhur 81 deputetë për katër vitet e ardhshme. Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviç synon fitoren e njëmbëdhjetë pas 30 vitesh në pushtet, ndërsa opozita e renditur në disa blloqe, kërkon me ngulm ndërrimin e pushtetit.
Një numër vëzhguesish vendas dhe ndërkombëtarë po vëzhgojnë Zgjedhjet Parlamentare 30 gushtit në Mal të Zi, përfshirë Rrjetin Europian të Organizatave të Monitorimit të Zgjedhjeve.