Brenda burgjeve të “ferrit” në Arabinë Saudite

Me mijëra emigrantë janë duke u mbajtur në burgje në Arabinë Saudite pasi ekziston frika e përhapjes së koronavirusit.

“Sunday Telegraph” ka publikuar disa pamje të emigrantëve të cilët qëndrojnë të burgosur brenda qelive të vogla në kushte të tmerrshme dhe në temperatura tejet të larta.

Media britanike citon emigrantët, të cilët shprehen se trajtohen si kafshë nga rojet e burgut, e që sipas tyre ushtrojnë dhunë.

Që prej shpërthimit të pandemisë, Arabia Saudite ka burgosur me mijëra emigrantë të paligjshëm nga shtetet afrikane për t’i ndaluar ata të përhapin koronavirusin.

Një foto e shkrepur me një telefon të futur “kontrabandë” tregon emigrantët e zhveshur të shtrirë në dyshemenë e një qelie. Në një tjetër foto, një trup i pajetë është mbuluar me një batanije, ndërsa të tjerë luftojnë për ushqim dhe ujë të pijshëm.

“Këtu është ferr. Na trajtojnë si të ishim kafshë, na rrahin çdo ditë. Krimi i vetëm që ne kemi bërë është se jemi larguar nga vendi ynë për një jetë më të mirë. Ata na rrahin me kamxhikë sikur të ishim vrasës”, shprehet Abebe, një emigrant nga Etiopia, shkruan “Sunday Telegraph”.

Të tjerë thonë se ata nuk marrin asnjë trajtim mjekësor, ndërsa papastërtitë nga tualetet derdhen në qelitë e tyre.

Sipas “Sunday Telegraph”, një nga burgjet është në Al Shumaisi afër Mekës, ndërsa një tjetër është në Jazan, afër kufirit me Jemenin.