Kandidatët e PD, nis faza e dytë e seleksionimit. Komisioni zgjedh 300 emra

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve për deputetë dhe kryebashkiakë ka nisur fazën e dytë të përzgjedhjes, duke kaluar në sitën tjetër, atë të vetting-ut të demokratëve, 1000 emrat e propozuar nga baza e PD që kaluan filtrin e parë.

Anëtarja e Komisionit, Enriketa Papa, thotë në një intervistë për A2 se përjashtimi nuk është i lehtë dhe për këtë është dashur miratimi i një metodike të re. Kandidatët që kaluan në fazën e dytë, tashmë kanë plotësuar formularin e pastërtisë së figurës, i cili është vendimtar për të vijuar më tutje.

Enriketa Papa paralajmëron se disa kandidatëve mund t’u kërkohen edhe informacione shtesë: “Janë një sërë elementesh për t’u plotësuar. Në formular janë të përcaktuara mirë kriteret. Ne do të jemi rigorozë në thellimin për kandidatët”.

PD nuk ka bërë publik 1000 emrat që kaluan fazën e parë. Kjo ka ndodhur, sikurse thonë burimet, për të mos shkaktuar pakënaqësi në radhët e demokratëve. Por, Papa sqaron se nga cilat fusha vijnë kandidatët: “Janë të larmishme. Ish-funksionarë të PD, pjesë e strukturave, akademikë dhe emra nga fusha e gazetarisë”.

Deri më 15 shtator është afati që ka në dispozicion. Komisioni për të përzgjedhur 300 kandidatët që do i çohen për votim anëtarësisë, por duket se respektimi i afatit do të jetë i vështirë të realizohet.