Zgjedhjet në Malin e Zi/ Fiton Partia e Gjukanoviçit, por nuk ka shumicën. Shqiptarët, me dy deputetë

Pas 3 dekadash në pushtet, udhëheqja e partisë së Presidentit Milo Gjukanoviç vihet në pikëpyetje. Sipas rezultatit paraprak, Partia Demokratike e Socialistëve rezulton të ketë fituar shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke siguruar 35,12% të votave ose 30 mandate, e pasuar nga koalicioni për të ardhmen e Malit të Zi, me 32,52%, ose 27 mandate.  

Megjithatë, tri koalicionet opozitare, përfshirë “Paqja është kombi ynë” dhe “E bardhë në të zezë” kanë fituar më shumë mandate, 41 nga 81 që ka gjithsej Mali i Zi. 

Ndërkohë, dy koalicionet shqiptare kanë arritur të sigurojnë dy deputetë në Kuvend. Lista Shqiptare ka marrë 1,61% të votave, duke siguruar një mandat, e po ashtu Koalicioni Shqiptar ka siguruar një mandat deputeti me 1,16% të votave. Në mungesë të një fituesi të qartë dhe përballë rezultateve të ngushta, si Gjukanoviç, ashtu edhe rivali Zdravko Krivokapiç, i Aleancës pro-serbe për të ardhmen e Malit të Zi, nxituan të shpallnin fitoren. Gjukanoviç tha se partia e tij mbetej më e forta me 30 mandate dhe se bashkë me partnerët tradicionalë të minoriteteve dhe partive të vogla mund të siguronin 40 mandate, një më pak se shumica e nevojshme. 

“Rezultati aktual nënkupton se Partia Demokratike e Socialistëve është më e forta, jo vetëm me vota, por edhe mandate”, tha Gjukanovic.

Ndërsa Zdravko Krivokapiç, theksoi: “Qytetarë të Malit të Zi, liria erdhi. Pas 31 vitesh pushtet totalitar, gjëra të mira ndodhën”. 

Ndërsa asnjë prej dy garuesve kryesorë nuk i siguron dot 41 deputetë për të qeverisur të vetëm, secili prej tyre do të kërkojë partnerë koalicioni.Në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, të cilat u zhvilluan në kushtet e pandemisë së Covid-19 dhe tensioneve fetare për shkak të një ligji që i lejon shtetit të konfiskojë asetet fetare kur pronësia nuk vërtetohet, pati një pjesëmarrje të lartë prej 75,9 përqind. 6 koalicione dhe pesë parti garuan për 81 vendet në Parlament, në zgjedhjet e 11 që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të pestat që prej shpalljes së pavarësisë.