“Portland është rrëmujë”, Trump: Kryebashkiaku t’a pastrojë ose do e bëjmë ne

Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdon me sulmet ndaj demokratëve lidhur me trazirat në vend. “Portland është rrëmujë dhe ka qenë kështu prej shumë vitesh. Nëse ky kryebashkiak qesharak nuk e pastron, do ta bëjmë ne për ta”.

Është ky mesazhi i kreut të Shtëpisë së Bardhë i lëshuar përmes “Twitter”-it, i cili i referohet protestës në Oregon, ku u vra një aktivist i ekstremit të djathtë. Kryebashkiaku i Portland, Ted Wheeler, replikoi menjëherë duke i thënë presidentit se “je ti ai që ka krijuar këtë nivel të përçarjes dhe urrejtjes”.

Sipas Trump, “kryebashkiakët dhe guvernatorët e së majtës radikale të qyteteve ku mbizotëron dhuna e çmendur kanë humbur kontrollin e lëvizjes së tyre.

“Anarkistët dhe agjitatorët kanë marrë në dorë situatën dhe nuk po dëgjojnë më askënd, madje detyruan Joe e ngadaltë jashtë bodrumit”, thekson Trump.

Më herët, presidenti amerikan dhe rivali demokrat, Joe Biden, shkëmbyen akuza dhe fyerje për njëri-tjetrin lidhur me dhunën që shpërtheu gjatë një proteste në Portland. Aty manifestuesit pro-Trump u përleshën me ata të “Black Lives Matter”.

Biden akuzoi Trump se po nxit dhunën. Ndërsa presidenti amerikan i cilësoi pjesëmarrësit në protestë si “patriot të mëdhenj” dhe bëri përgjegjës kryebashkiakun demokrat të Portland për trazirat.