Venecia shkëlqen sërish me festivalin e parë të filmit post pandemisë

VENECIA FESTIVALI frame 1418 1100x620

Ditët me rrugë të shkretuara, gondola të boshatisura dhe heshtje të pazakontë, duken tashmë të largëta për Venecian.

Qyteti lagunë i është rikthyer jetës së zhurmshme, e bëhet gati të mirëpresë festivalin e parë të filmit në botë, në periudhë pandemie.

Turistët vërshuan sërish drejt qytetit piktoresk, ku një pianist i veshur me smoking, ofron muzikë për turmat që mrekullohen me sheshin e famshëm të San Marcos.

Taksitë ujore janë të mbushura me vizitorë dhe gondola u janë rikthyer bindshëm punës. Megjithatë kjo periudhë e vitit do të karakterizohej nga një atmosferë më e nxehtë, ndërsa numërimi mbrapsht për festivalin e Venecias ka nisur.

Pandemia e koronavirusit nënkupton radhë të reduktuara, ndërsa adhurues entuziastë nuk do të lejohen të rrethojnë yjet e kinemasë, për autografe apo fotografi. Kështu, gjatë mbajtjes së festivalit, qyteti nuk do t’i ngjasojë vetes së tij më të zhurmshme në periudhën e para pandemisë.

Ai i Venecias do të jetë festivali i parë i madh ndërkombëtar që do të zhvillohet fizikisht e jo virtualisht pas emergjencës shëndetësore. Ai nis të mërkurën dhe do të zgjasë deri më 12 shtator. Protokollet strikte të Covid-19 nënkuptojnë se kontrolli i temperaturës, maskat, distancimi social dhe dezinfektuesit do të jenë pjesë e rëndësishme e këtij edicioni.