Vijojnë protestat në Bjellorusi. Lukashenko sërish me kallashnikov dhe jelek antiplumb

tubim bjellorusi 1100x620

Dhjetra mijëra qytetarë pushtuan sërish rrugët e Bjellorusisë, duke u përleshur me policinë, në protestën e radhës kundër Presidentit Aleksandër Lukashenko. Një kordon i madh policor mbrojti zona të ndryshme si Sheshi i Pavarësisë në kryeqytetin Minsk, ndërsa Ministria e Brendshme raportoi të paktën 140 arrestime.

Protestuesit thërrisnin “turp” dhe “largohu” gjatë përplasjes me forcat e rendit. Bjellorusia është pushtuar nga manifestimet masive që prej zgjedhjeve të 9 gushtit, të cilat besohet se janë manipuluar. Lukashenko, i cili është në pushtet prej 26 vitesh, bëri me dije se nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe mohon mashtrimin në zgjedhje.

Ndërkohë, protesta e fundit përkoi dhe me ditëlindjen e 66 të Presidentit Lukashenko. Ky i fundit iu kundërpërgjigj kundërshtimeve me një mesazh të fortë. Lukashenko dha një prononcim për median ruse Ria Novosti, duke publikuar dhe një imazh të tij ndërsa mban një kallashnikov në dorë dhe veshur ka një jelek antiplumb.

Përpara kësaj, Presidenti rus Vladimir Putin, telefonoi homologun bjellorus duke e uruar atë për ditëlindjen dhe e ftoi për një vizitë në Moskë. Kjo është shenja e fundit e miqësisë së ngushtë mes të dyve, pasi Kremlini konfirmoi formimin e një grupimi ushtarako-policor për të ndërhyrë në Bjellorusi nëse Lukashenko do ta kërkonte.