Broja dhe Çekiçi: Grumbullimi me kombëtaren, ëndërr e bërë realitet

Broja cekici 1100x620

Dy talentet Armando Broja dhe Endri Çekiçi ishin futbollistët që dolën mesditën e sotme në konferencën për shtyp të kombëtares.

Sulmuesit janë treguar shumë entuziast për thirrjen nga tekniku italian në kombëtare. “Kam emocione të mëdha. Jam shumë i kënaqur që jam me lojtarët më të mirë. Te U19 dhe U21 luajnë fort dhe shpejt, kështu kam qejf të luaj dhe unë këtu”, u shpreh Broja, i cili do të mungojë në ndeshjen e 4 shtatorit ndaj Bjellorusisë pas një kartoni të kuq me ekipet e moshave të Shqipërisë.

“Mbase aktivizohem në takimin e dytë me Lituaninë për disa minuta. Edhe nëse nuk aktivizohem, do jem në stol. Më duhet të mësoj, është një eksperiencë e mirë. Kështu fillojnë të gjithë: luajnë fillimisht 10, 20 minuta ndeshje. Prapë kam kënaqësi të jem me ekipin e parë. E di trajneri. Kam target të vazhdoj të tregoj më shumë. Balaj, Cikalleshi dhe Sadiku? Të tre janë të mirë. Kanë bërë shumë për Shqipërinë. Janë djem të mirë dhe lojtarë të mirë. Jam lojtar ndryshe, luaj futboll ndryshe. Jam më i shpejtë, mund t’u iki mbrapa mbrojtësve. Mund të përdor dhe dribilimin. Ata kanë bërë më shumë se unë. Kanë respekt. Duhet t’i tregoj trajnerit që të jem në kombëtare”.

Ndërkohë, Endri Çekici shprehet se kishte vite që e priste një ftesë nga kombëtarja, e cila më në fund mbërriti për të. “Siç e thatë edhe ju, kisha vite që e prisja. Është ëndërr e kthyer realitet. Tani që u plotësua ëndrra, duhet të kem ëndrra të tjera. Që nga dita e djeshme që i jam bashkuar ekipit, duhet ta tregoj pse jam këtu. Mbase trajneri mund të mbështetet tek unë. Jam i lumtur që jam këtu. Në fillim më erdhi lista e pritjes, nuk e humba besimin për asnjë moment. Po vija pas një sezoni të mirë, e nisa mirë sërish, isha i bindur që në një moment do të vinte ftesa”.