Çështja e detit, Islami: Kufijtë nuk mund të negociohen me biseda telefonike

Pak ditë më parë, kryeministri i Greqisë Mitsotakis, me zë të fortë, u tha parlamentarëve në Athinë se së shpejti Greqia do të zgjerohej me 12 milje detare në detin Jon, çka sipas disa ekspertëve është përkthyer në një ngushtim të hapësirës detare të Shqipërisë.

Deklaratën e kreut të qeverisë greke e pasuan disa lëvizje të qeverisë sonë dhe të presidentit. Çështja është një temë mjaft e ndjeshme që prej vitit 2009 kur në pushtet ishte Partia Demokratike dhe si rrjedhojë negociatat dhe përpjekja për një marrëveshje ka përfshirë mjaft ekspertë, zyrtarë dhe krerë të lartë qeverisës.

Kastriot Islami, ish-ministër i Jashtëm, foli në A2 për këto zhvillime, i cili theksoi se kufijtë nuk mund të negociohen me biseda telefonike, por me komunikime zyrtare.

“Duhet të kuptohet se çfarë informacioni ka qeveria shqiptare. Thuhet se ka një deklaratë të kryeministrit të Greqisë në parlament. Shqipëria duhet të kishte një notë zyrtare se çfarë veprimi po ndërmerr Greqia, ndërkohë që ka pasur veprime nga vitit 2008 e në vijim për marrëveshje. Gjëja e parë që duhet të dinë shqiptarët është a ka një notë zyrtare dhe çfarë ka në këtë notë zyrtare. Normalisht, në bisedën telefonike që Mitsotakis ka bërë me Ramën, kryeministri shqiptar duhet të kishte kërkuar një notë zyrtare se çfarë ata kërkojnë. Kjo gjë nuk është e ditur për publikun. Kjo është mungesë serioziteti, deri në mungesën e një shteti serioz që komunikon me shtetet fqinje jo në mënyrë zyrtare. Territoret e Shqipërisë nuk mund të diskutohen në komunikime jo zyrtare. Gjithçka tjetër është rrjedhojë. Ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Kastriot Islami.

Më tej, ai tregoi se si ai do ta trajtonte këtë çështje nëse do të ishte në postin e ministrit të Jashtëm. “Nëse do të isha në pozicionin e ministrit do të mblidhja të gjithë ekspertizën për këtë çështje, do të takohesha me kryeministrin dhe do t’i kërkojë notën zyrtare që i ka ardhur, do t’i kërkoja të ngrinte grupin negociator të ri, meqenëse disa janë larguar, do t’i kërkoja ta çonte çështjen në parlamentin shqiptar, do t’i kërkoja të vinte në dijeni presidentin e Republikës. Mbi këtë bazë do të pyesja ekspertizën se çfarë mendojnë për këtë notë zyrtare, për këtë deklarim zyrtar”, tha Islami.