Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

"Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar", vetingu pakëson gjyqtarët, mbi 48 mijë dosje presin gjykimin

Nga A2 CNN
1 Shtator 2020, 19:56 | Aktualitet
"Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar", vetingu pakëson

Teksa Shqipëria po mbyll edhe një vit tjetër pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, gjykatat e shkallëve më të ulëta po rrezikohen nga ngërçi.

Largimet nga procesi i vetingut kanë ulur ndjeshëm numrin e gjyqtarëve të parashikuar në organikat përkatëse, situatë që çon në vonesë të shqyrtimit të dosjeve. Pas bllokimit të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, rreziku më i madh i bllokimit kanos Apelin e Tiranës, ku ushtrojnë detyrën 13 gjyqtarë, nga 31 që duhet të ishin.

Burime për A2 konfirmuan se kjo gjykatë po shqyrton aktualisht dosje të vitit 2016, ndërsa totali i dosjeve në pritje është gati 12.700. Ndërsa në Gjykatën e Lartë, me tre anëtarë nga nëntë që duhet të ketë, presin gjykimin më shumë se 35.600 dosje.

Nga ana tjetër, përveç vetingut, përpjekja për plotësimin me anëtarë nga gjyqësori të Gjykatës së Lartë, mund të bëhet shkak për ngadalësimin e punës në shkallët me të ulëta. I tillë është rasti i Gjykatës së Posaçme, gjykata që shqyrton dosjet e SPAK.

Teksa funksionon me 10 anëtarë, nga 16 që duhet të ketë, dy prej tyre, kryetari Sandër Simoni dhe anëtari Klodian Kurushi, kanë kandiduar për në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, për pesë vakancat e shpallura nga KLGJ në Gjykatën e Posaçme, ka shfaqur interes vetëm një gjyqtar. Ai është Erjon Bani, aktualisht gjyqtar i Gjykatës së Tiranës.

Për katër vakanca të tjera në gjykatën ku anëtarët duhet të pranojnë t’i përgjohen telefonatat 24 në 24, nuk është paraqitur asnjë kandidaturë. Situata e krijuar vë para përgjegjësisë Këshillin e Lartë Gjyqësor në mirë-shpërndarjen e gjyqtarëve ekzistues, si edhe në përshpejtimin e procedurave për plotësimin me gjyqtarë të gjykatave të dala jashtë funksioni. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani