Familja e Blake “nuk luan me politikën”

Familja e afro-amerikanit të plagosur nga policia refuzon të “luajë politikë” me jetën e Jacob Blake, teksa presidenti, Donald Trump, viziton qytetin Kenosha gjatë të martës.

Dhuna e tepruar e policisë nxiti një valë të re protestash kundër racizmit në Shtetet e Bashkuara. Trump do të takohet me zyrtarë të policisë, por jo me familjen e Blake. Vizita vjen ndërsa termat “ligj dhe rend” janë politizuar ndjeshëm përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Zyrtarët lokalë i kanë bërë thirrje presidentit amerikan që të mos vizitojë qytetin Kenosha në shtetin e Uiskonsin, pasi mendojnë se prezenca e tij do të rindezë protestat dhe trazirat që u shuan në ditët e fundit. Këtë frikë e konfirmojnë dhe deklaratat e Trump, i cili doli në mbrojtje të një 17-vjeçari që akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë protestave në Kenosha.

“Ai po përpiqej të largohej nga ata. Të paktën kështu dukej dhe pastaj u rrëzuar ndërsa ata e sulmuan dhunshëm. Besoj se ai ishte në telashe tepër të mëdha. Me shumë mundësi do të ishte vrarë”, u shpreh Donald Trump, president i SHBA.

Gjithashtu lëshoi akuza ndaj rivalit demokrat, Joe Biden, duke thënë se po përdor mafien për të fituar pikë në sondazhe. Nuk vonoi dhe kundërpërgjigjja e ish-zëvendëspresidentit.

“Presidenti ka humbur prej shumë kohësh çdo lidership moral të këtij vendi. Ai nuk mund të ndalojë dhunën, pasi prej vitesh e ka nxitur atë. A beson ndokush se do të ketë më pak dhunë në Amerikë nëse Donald Trump rizgjidhet?”, tha Joe Biden, kandidat i demokratëve për president.