Nisja e vitit të ri shkollor, Rama: Asnjë klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës

Kryeministri Edi Rama organizoi një mbledhje virtuale me drejtuesit e Drejtorive Rajonale dhe zyrave arsimore vendore në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.

Kreu i qeverisë tha se “shkollat do të funksionojnë me një, dy dhe tre turne”.

“Për shkollat me numër të madh nxënësish, patjetër që mësimi do të zhvillohet me turne dhe orët 30-minutëshe. Asnjë klasë nuk duhet të ketë më shumë se 20 nxënës”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se çdo shkollë do të ketë edhe një person nga sistemi i shëndetit publik: “Të gjitha institucionet që po marrin masat për nisjen e vitit të ri shkollor janë në një sfidë të jashtëzakonshme jo thjesht për të nisur, por për të vazhduar dhe mbaruar një vit shkollor shumë më të vështirë se gjithë të tjerët. Prandaj, pas trajnimit të vazhdueshëm, pajisjen me bazën materiale të nevojshme (detergjentë, doreza, maska etj.), do të ketë edhe një person nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës. Këta persona duhet të jenë kontakti i përditshëm për shkollat. Duhet këmbim informacioni dhe mbështetje për ta”.

“Duhet kuptuar drejt se nuk bëhet fjalë për të vendosur në rresht djem dhe vajza të rritura, por për të disiplinuar sjelljen në mjedisin social të një grupmoshe shumë delikate dhe prandaj është e domosdoshme që ky proces të kryhet me durim dhe jo me britma dhe masa shtrënguese për njërin apo tjetrin”, nënvizoi Rama.