Pandemia nuk step bashkitë, 209 leje ndërtimi në kulmin e COVID-19

Pandemia nuk ka frenuar dhënien e lejeve të ndërtimit. Instituti i Statistikave raporton se në tremujorin e dytë të këtij viti, që ka qenë edhe piku i goditjes së COVID-19, bashkitë kanë dhënë 209 leje ndërtimi, me rritje 14% kundrejt tremujorit të parë.

Rritja ka ardhur nga bashkitë e Durrësit, Elbasanit, Beratit, Fierit, Shkodrës, Lezhës dhe Dibrës, ku numri i lejeve të dhëna prej tyre është më i lartë se ai në tremujorin e parë. Për sa i përket Bashkisë së Tiranës, është regjistruar një rënie e numrit të lejeve me 25% krahasuar me tremujorin e parë. Por pavarësisht kësaj, Tirana vazhdon të dominojë numrin e përgjithshëm të lejeve të ndërtimit, me 30% të totalit. Bashkia e vetme që nuk ka dhënë asnjë leje ndërtimi është ajo e Kukësit.

Ekspertët shpjegojnë se bashkitë priren të japin sa më shumë leje ndërtimi edhe për të ardhurat që sigurohen nga taksat që paguajnë firmat. Taksa e ndikimit në infrastrukturë është burimi kryesor i të ardhurave që siguron vetë pushteti vendor. Sipas raportit të Financave Vendore, publikuar nga Coplan dhe Ministria e Financave, në tremujorin e parë të këtij viti, që është e dhëna e fundit zyrtare, u mblodhën nga taksa e ndikimit në infrastrukturë rreth 1,7 miliardë lekë, në rritje me rreth 27,6% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.