Përgatitjet për mandatin e tretë, Rama: Do ketë një proces vlerësimi nga anëtarësia

EDI RAMA 18 00 frame 7338 1100x620

Kryeministri Edi Rama deklaroi se shumë shpejt do të nisë dhe një proces vlerësimi nga ana e anëtarësisë për punën që kjo mazhorancë ka kryer gjatë mandatit të saj.

Detyruar nga zhvillimet e reja, mes të cilave dhe listat e hapur të kandidatëve për deputetë, kreu i qeverisë ftoi dhe atë pjesë të anëtarësisë që dëshiron të kandidojë për legjislaturën e ardhshme si pjesë e familjes socialiste të shprehë interesin gjatë kësaj kohe analize.

“Vlerësim online mes shtatorit dhe janarit sepse ne do të vazhdojmë të punojmë dhe vlerësimi duhet të jetë dinamik siç do jetë dhe performanca. Ne nuk jemi një parti e mbyllur, prirjet për mos u hapur janë pjesë e çdo familje. Ne nuk i kemi marrë dy mandate vetëm me anëtarësinë. Kush na zgjedh në fund ka të drejtën të shprehë nëse dëshiron të jetë pjesë e listës sonë dhe ne do t’i garantojmë anonimitet. Nuk ka më mirë sesa të kemi një spektër zgjedhjeje sa më të gjerë për mandatin e tretë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij, pas mbledhjes së grupit të PS në Elbasan sulmoi dhe opozitën duke thënë se ata janë humbës kronikë. Sipas Ramës, opozita e sotme është një fatkeqësi për veten, por edhe për mazhorancën.

“Unë nuk do të them asgjë për kundërshtarët dukshëm. Sa më shumë të shohim te ta aq më pak kërkojmë te vetja. Ata janë humbës kronikë dhe më mirë gjejnë vetëm rrugën e humbjes. Ata janë një fatkeqësi për veten dhe për ne sepse nuk na stimulojmë të përmirësohemi më shumë dhe më tej. Nuk stimulojnë opinionin publik të mprehë shikimin te të gjithë. Duhet të shohim, lodhjen, mërzinë, pritshmërinë e disave te ne”, përfundoi Rama.