Shkollat bëhen gati për të pritur nxënësit në Kosovë

Shkollat në Kosovë po bëhen gati të presin nxënësit në 14 shator. Autoritetet njoftuan shtyrjen me dy javë të vitit të ri shkollor, siç thanë për të garantuar kushte të sigurta për fëmijët, mësuesit dhe prindërit. Në ambientet e Shkollës “Faik Konica” në Prishtinë janë vendosur shenja që rikujtojnë nxënësit të mbajnë distancën dhe higjienën, ambientet janë dezinfektuar dhe klasat do të ndahen në grupe në mënyrë që të mos ketë shumë nxënës njëkohësisht.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, duke filluar nga shenjëzimi i oborrit të shkollës, në mënyrë që të mbajmë distancën e nxënësve, pastaj kemi përpiluar orarin, gjithashtu kemi ndarë edhe grupet e klasave të cilat do të vijojnë me ditë dhe me javë. Shkolla është e dezinfektuar në tërësi, po ashtu janë vendosur edhe postera”, thotë drejtoresha e shkollës, Jehona Oruqi.

Nëse një nxënës shfaq simptoma, atëherë ai do të ndahet nga pjesa tjetër dhe do të mbahet derisa të vijnë prindërit në një dhomë të veçantë. Një protokoll i posaçëm do të ndiqet edhe për nxënësit e tjerë të cilët kanë pasur kontakt me një nxënës të dyshuar si i infektuar. “Ne kemi krijuar edhe ‘task forcën’ brenda shkollës, gjithashtu kemi edhe kthinën (dhomë e veçantë) brenda, ku nxënësit të cilët janë potencial do t’i izolojmë aty derisa të vijë prindi që t’i tërheqë”, thotë Oruqi.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka parashikuar tre skenarë për vitin e ri shkollor, ku i pari përfshin mësimin në institucionet shkollore me masat parandaluese, i dyti nënkupton rikthimin e pjesshëm në shkollë të ndërthurur me mësim distancë dhe i treti mësimi në distancë.