Shtrohet tapeti i kuq në Venecia, por a do të ketë pjesëmarrje?

Mungojnë vetëm pak orë që festivali i parë ndërkombëtar i filmit i zhvilluar fizikisht në periudhë pandemie, të çelë siparin në Venecia, por ajo që pyesin të gjithë është, a do të ketë pjesëmarrje?

Edicioni i 77 i Festivalit të Filmit do të mbahet nën një protokoll strikt sigurie për Covid-19. Radhët e gjata të adhuruesve në tapetin e kuq do të mungojnë, pjesëmarrja gjatë ekranizimeve do të jetë e kufizuar, ndërsa maskat dhe distancimi social do të jenë të detyrueshme.

“Pasi të gjitha kinematë kanë qenë të mbyllura për kaq kohë, kjo është një mundësi reale për të rinisur me diçka të rëndësishme. Ka shumë stres dhe ka shumë punë pasi jemi pak vonë në përgatitje. Moti i keq i vështirësoi disi gjërat, pasi shumë ekranizime do të bëhen jashtë këtë vit”, u shpreh Massimo Oluzzi, organizator.

Ndërsa kufizimet në udhëtime nga vendet jashtë shengenit mbeten ende në fuqi, me shumë gjasë shumë yje të kinemasë, kryesisht nga SHBA nuk do të jenë në gjendjen të marrin pjesë.

Aktorja Cate Blanchet do të jetë kryetare e jurisë dhe renditet mes emrave të mëdhenj që do të jenë të pranishëm. Aktorë të tjerë të mundshëm që do të parakalojnë tapetin e kuq në lido të Venecias, janë Matt Damon, britanikja Tilda Swinton dhe regjisori spanjoll Pedro Almadovar.

Pavarësisht mungesës së ajkës hollivudiane që zbret zakonisht në këtë periudhë të vitit në qytetin lagunë, venecianët janë të lumtur që festivali do të zhvillohet dhe qyteti po bëhet gati të lërë pas krahëve zymtësinë e periudhës së izolimit, për të mirëpritur hijeshinë dhe elegancën e dikurshme, sado e kufizuar qoftë ajo.