Si do të nisë mësimi? Nxënësit të ndarë në 4 turne, vetëm dy lëndë në ditë

Me fillimin e shkollës në kushtet e pandemisë, nxënësit nuk do të bëjnë më shumë se 2 orë e gjysmë mësim në ditë, të alternuar me turne.

30 minuta do të jetë një orë mësimi dhe nuk do të ketë më shumë se dy lëndë në ditë.  Shkollat kanë planifikuar që disa programe si arti, qytetaria dhe informatika të zhvillohen online nga shtëpia.

Në shumicën e shkollave mësimi do të zhvillohet me katër turne. Oraret do të alternohen për të mos krijuar fluks fëmijësh gjatë hyrjes dhe daljes. Me përfundimin e planit të detajuar nga çdo shkollë, prindërit do të vihen në dijeni për oraret e mësimit. 

Dy javë para nisjes së procesit mësimor, shkollat kanë hartuar planet për zhvillimin e mësimit sipas udhëzimeve të komitetit teknik.

Këtë vit është planifikuar që lëndët online nuk do të vlerësohen me notë, në varësi të përhapjes së virusit do të ketë masa dhe skenarë të tjerë.