100-vjetori i Luftës së Vlorës bën bashkë Ramën dhe Metën

Screenshot 2 1100x620

Aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Vlorës me rastin e 100-vjetorit të Luftës së Vlorës bën bashkë në qytetin bregdetar kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ilir Meta, të përfshirë prej disa kohësh në një konflikt të hapur me njëri-tjetrin.

Në ceremoninë solemne që u organizua në “Sheshin e Flamurit” në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, kryeministri Rama u shpreh se kjo ishte një nga luftërat më të veçanta për nga përfundimi i saj, ku fituese u shpall pala që ishte objektivisht e humbur.

Më herët gjatë ditës, Kreu i Shtetit, Ilir Meta mbajti një fjalim në Konferencën Shkencore me rastin e kësaj ngjarje në Vlorë ku tha se kjo datë duhet të vendoset në listën e festave kombëtare. Meta nënvizoi rëndësinë historike dhe kombëtare të Luftës së Vlorës që edhe në këtë 100-vjetor mbetet një shembull frymëzues atdhedashurie dhe krenarie për popullin tonë.

“E mbështes fuqimisht idenë që 3 shtatori duhet të jetë një ditë feste kombëtare, sepse është një ngjarje kombëtare, që plotëson dhe e vë në jetë Pavarësinë që ne e festojmë çdo 28 Nëntor”, tha Meta.