Arthur flet si bardhezi: Projekti i klubit më bindi, prioritet Champions League

arthur 600x338

Braziliani Arthur është një nga lojtarët e rinj të skuadrës së Pirlos, i cili këtë të mërkurë ka dalë në një konferencë për mediat duke folur për herë të parë si bardhezi.

Ish-mesfushori i Barcelonës u shpreh se për të është një ëndërr e realizuar të luajë me Ronaldon, ndërsa thekson se prioritet do të jetë fitimi i Champions League.

“Juventusi është një histori unike dhe po provoj emocione të mëdha, ndaj jam gati të bëj maksimumin. Kam kënaqësinë që të luaj me futbollistë të mëdhenj dhe të jem shok skuadre me Cristiano Ronaldon është realizimi i një ëndrre. Projekti i klubit më ka bindur menjëherë dhe do të punojmë shumë për të arritur objektivat, ku natyrisht që prioritet do të jetë Liga e Kampionëve”, u shpreh braziliani.

Arthur është mesfushor, ashtu si edhe trajneri i tij te Juventusi Andrea Pirlo, ndërsa në konferencën për shtyp të ditës së sotme braziliani pranoi se nuk ka folur ende me teknikun për rolin që do të ketë në fushë.

“Akoma nuk kam folur me detaje me Pirlon, por kam fatin që do të luaj për një trajner që ka luajtur pikërisht si mesfushor dhe ka pasur një mënyrë unike të të lëvizurit në fushë. Te Brazili kam luajtur pak ndryshe nga pozicioni që kisha te Barcelona. Nuk e di çfarë do të bëj saktësisht te Juve, por mund të luaj në çdo pozicion të mesfushës dhe me çdo lloj rreshtimi, ndaj nuk mendoj se do kemi probleme të kësaj natyre”, deklaroi Arthur.