Bilanci i rindërtimit, mbi 11 mijë familje ende pa shtëpi, vonesa me procedurat

11490 familje që humbën shtëpitë e tyre si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit jetojnë ende sot me qira në rastin më të mirë, te familjarët e tyre apo në rastin më të keq në çadra në qiell të hapur. 9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, qeveria ende nuk ka gjetur zgjidhje, pavarësisht premtimit për të sistemuar brenda harkut kohor të 1 viti rreth 80% të familjeve që humbën banesat e tyre. Bilanci i shifrave zyrtare tregon se vetëm një familje në Farkë të Madhe ka marrë çelësat e një banesë të rindërtuar. Pjesa tjetër janë ose në proces hartimi të projekteve, tenderimit të tyre, në proces disbursimi të fondeve ose në disa raste, punimet sapo kanë nisur.

Ndërkaq, ka edhe zona për të cilat vetëm ditët e fundit është marrë vendimi për ringritjen e pallateve të dëmtuara. Rasti i fundit është ai i rindërtimit të 13 pallateve 5-katëshe në njësitë administrative Sukth, Sukth i Ri dhe Katund i Ri të Bashkisë Durrës, vendim i marrë vetëm në fund të gushtit nga Komisioni Shtetëror i Rindërtimit.

Nga një hulumtim në faqen zyrtare të Ministrisë së Rindërtimit rezulton se janë 56164 aplikime për të përfituar nga procesi i rindërtimit si palë të dëmtuara. Ndërsa zyrtarisht jetojnë sot në shtëpi me qira nëpërmjet bonusit të paguar nga qeveria 13192 qytetarë. Ata nuk e dinë ende se kur do të kenë një shtëpi, edhe pse ajo iu është premtuar rreth 9 muaj më parë nga qeveria.

Ndërkohë që qeveria turke, e cila premtoi ndërtimin e 524 apartamenteve në zonën e Laçit me procedurat e saj të tenderimit, disbursimit dhe ndërtimit, ndodhet aktualisht me kantiere të hapura për realizimin e shtëpive.