Drejtuesit politikë në PS, riciklim emrash për të qetësuar bazën dhe shmangur njollat

Vapa e gushtit shkriu akulloren në duart e Vangjush Dakos, për të cilin tashmë duket se ka nisur procesi i përcjelljes jashtë jetës partiake.

Socialistët nuk e kanë më luksin të kenë në krye të Durrësit dikë të përfshirë në listën e zezë të amerikanëve dhe kjo ka detyruar Edi Ramën ta marrë vetë drejtimin politik të këtij qarku. Taktike duket lëvizja e kryeministrit për t’u larguar nga Vlora drejt një tjetër qyteti bregdetar, por që ende vuan pasojat e tërmetit të nëntorit të kaluar.

Qëllimi është shuarja e pakënaqësive në elektorat. Me qindra familje që akoma presin një strehë, imazhi i Vangjush Dakos, i përfolur fort në Durrës për abuzimet me lejet e ndërtimit, rrezikon të kthehet në bumerang për socialistët. Pa harruar protagonizmin e tij në përgjimet e “Dosjen 339”, ku hetohet roli i krimit të organizuar në zgjedhje.

Pas apelit të Ambasadës Amerikane për të mbajtur larg njerëzit e korruptuar e të lidhur me krimin, duart e Vangjush Dakos pritet të mos kapin më as kryesinë e re socialiste që do të dalë nga Asambleja Kombëtare, duke shënuar kështu perëndimin e tij politik.

“Vangjush Dako ka qenë, është, dhe do të jetë miku im. Edhe në burg të shkojë nesër do të jetë sërish miku im”, shprehej kryeministri Rama.

Me garën e ardhshme elektorale që do të rikthejë listat e hapura, kryeministri e di që nuk mund t’i drejtohet kutive të votimit pa shuar pakënaqësitë e bazës dhe pikërisht ky është motivi i largimit të Sandër Lleshajt nga Lezha, ku rikthehet Lindita Nikolla. “Një vit më parë, kryeministri kishte vendosur në qarkun e Lezhës ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, por duket se strukturat lokale nuk e kanë pritur dhe ka krijuar një lloj konfliktualiteti me bazën”, komentoi në A2 Aristir Lumezi, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Panorama”.

Në Shkodër, kryeministrit i duhet të zgjidhë problemet që kanë vetë socialistët e degës me ndërhyrjet e Tom Doshit. Ilir Beqja do të jetë drejtuesi i ri politik i qarkut, njeri që Ramës i mbaron punë.

“Sipas kryeministrit dhe sondazheve që ai ka, këta janë njerëzit më të mirë me të cilët ai mund të drejtojë një fushatë elektorale në qarqet reskpektive ku ata patën ndryshime.

Të tjera surpriza nuk ka. Pjesa më e madhe e qarqeve do të vijojnë të kenë të njëjtët drejtues politikë.

“Për momentin, duket se nuk ka njerëz më të promovuar për të drejtuar këto qarqe. Megjithatë, është interesante për të parë në skalionet e para ata që kanë qenë ish-ministra dhe më pas drejtues të qarqeve, në çfarë pozicioni do të jenë”, u shpreh Lumezi. Në kërkim të një mandati të tretë, sfida e Edi Ramës duket se do të jetë si t’ua shesë socialistëve riciklimin për risi.