Lumezi: Fjalimi i Ramës, autokritikë si përgjigje ndaj Partisë Demokratike

Fjalimi i djeshëm i kryeministrit Rama përballë deputetëve të Partisë Socialiste shënoi rifillimin e sezonit politik, dhe nisjen “de facto” të fushatës zgjedhore.

Sipas Aristir Lumezit, kryeredaktorit të gazetës Panorama, “ishte e pritshme që pas pushimeve verore të kishte një deklaratë për fushatën zgjedhore, ishte një lloj apologjie për 7 vitet e qeverisjes. Është dukuri e qeverive shqiptare që në mandatin e dytë të krijojnë firo, të jenë mandate të dobëta dhe me pakënaqësi në elektorat. Ku ka më mirë sipas kryeministrit se të fillosh me autokritikë në kërkesën për një mandat të tretë. Autokritika krijon besueshmëri tek ata që votojnë”.

Sipas Lumezit, priten ndryshime të mëdha në listën e kandidatëve, por emrat e drejtuesve të qarqeve ishin praktikisht ato të vitit 2013. “Janë po ato emra, që herë vijnë dhe herë ikin, surprizë është rikthimi i Lindita Nikollës në Lezhë, pasi Sandër Lleshaj kishte krijuar një farë konflikti me bazën”, nënvizon analisti për A2.

Sipas tij, i  gjithë fjalimi i kryeministrit vinte si “përgjigje ndaj punës së seleksionimit të listës zgjedhore të Partisë Demokratike”,  por se është parë edhe më parë që “sa herë ka patur sinjalizime nga baza, kandidaturat janë zgjedhur gjithmonë nga kryesia”, dhe kjo do të vazhdojë për sa kohë që listat do të jenë të mbyllura.