Marrëveshja e detit, Meta: Kujdes me deklaratat, mund të përdoren kundër Shqipërisë

Presidenti Ilir Meta tha nga Vlora se politikanët shqiptarë duhet të bëjnë kujdes me deklaratat sa i përket marrëveshjes së kufirit detar me Greqinë. Duke thënë se vetë ai ka mbajtur gjithmonë një qëndrim të përgjegjshëm dhe kushtetues në lidhje me këtë çështje, Presidenti u shpreh: “I ftoj të gjithë të jenë të kujdesshëm në sjelljen e tyre, sidomos në publik, që, qoftë edhe pa dashje, të mos bëjnë deklarata që nesër mund të përdoren kundër Shqipërisë nga kushdo”.

Presidenti komentoi edhe letrën e dërguar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim drejt krerëve të partive politike në lidhje me kandidatët për deputetë. “Përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme të pastrohet gjithçka në vend, që të kemi institucione plotësisht demokratike dhe legjitime. Vetëm zgjedhjet e lira e të ndershme e pastrojnë politikën nga elementë kriminalë, apo të korruptuar, apo të cilët për interesa grupesh të ndryshme kërkojnë të mbajnë peng shtetin ligjor”, u shpreh Meta.

Sa i përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Meta tha se nuk ka ende një datë. “Do të më duhet të dëgjoj përfaqësuesit e forcave kryesore politike e pastaj do të flasim me siguri. Nëse ka vullnet, të gjitha çështjet janë të zgjidhshme shumë thjesht. Nuk shikoj asnjë arsye përse të mos zgjidhen. Nëse ka vullnet për të respektuar marrëveshjen e 5 qershorit, të gjitha të tjerat më duken detaje. Nëse nuk ka vullnet, pastaj flasim ditë tjetër”.