Navalni i helmuar me Novichok, Merkel i kërkon Rusisë shpjegime të menjëhershme

Helmimi me agjentin nervor kimik Novichok rikthehet sërish në vëmendjen ndërkombëtare. Sërish nën akuzë është Rusia dhe një kundërshtar i Kremlinit që po lufton për jetën. Bëhet fjalë për liderin e opozitës, Alexei Navalny, i cili u sëmur rëndë gjatë një fluturimi nga Siberia për në Moskë muajin e kaluar.

Qeveria gjermane konfirmoi substancën toksike dhe i kërkoi shpjegime të menjëhershme Rusisë.

“Alexei Navalny ishte viktimë e një sulmi me agjent nervor kimik të grupit Novichok. Kjo substancë është identifikuar pa mëdyshje në teste. Pra, është e qartë se Alexei Navalny është viktimë e një krimi. Po tentohej që ai të heshte dhe unë, bashkë me të gjithë qeverinë gjermane, e dënojmë fuqishëm këtë”, tha kancelarja Merkel.

I ashpër ishte dhe ministri i Jashtëm, Heiko Maas. “Ne e dimë tani se ishte një sulm me agjent nervor kimik. Kjo e bën dhe më urgjente që përgjegjësit në Rusi të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. E dënojmë fuqishëm këtë sulm”.

Ministri i qeverisë së drejtuar nga kancelarja Angela Merkel, shtoi se një përgjigje e përshtatshme europiane për këtë çështje do të diskutohet në ditët në vijim dhe vendimi i Gjermanisë do të varet nga reagimi i Kremlinit.

Ndërkohë, Alexei Navalny po qëndron në koma që prej 20 gushtit dhe aktualisht po trajtohet në një spital të Berlinit. Ekipi i tij thotë se ai është helmuar me urdhër të presidentin rus, Vladimir Putin. Por Kremlini ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se do të hetojë nëse konfirmohet se opozitari është helmuar.

Kjo nuk është hera e parë që qeveria e Moskës akuzohet për përdorim të substancës kimike Noviçhok për të eliminuar kundërshtarët e saj. Në mars të 2018, ky agjent nervor tepër i rrezikshëm u përdor kundër ish agjentin sekret, Sergej Skripal dhe të bijës Yulia në Mbretërinë e Bashkuar.