Rikthimi i shkollave, Fico: Prioritet testimi i mësuesve

U fol shumë gjatë verës se shkujdesja në plazhe do të reflektohej në rritjen e numrit të të infektuarve me Covid gjatë vjeshtës. Por sipas drejtoreshës së ISHP, Albana Fico, sfida e vërtetë është rihapja e shkollave.

“Jo pushimet, por shkollat janë sfida jonë e vërtetë. Nuk do ta mbyllim shkollën për 1 rast”, u shpreh Fico.

Në strategjinë e testimit dhe zbulimit, është caktuar një korsi preferenciale që do t’i japë prioritet mësuesve në zhvillimin e testit të tamponit dhe marrjes së përgjigjes brenda pak orëve. 

Për të gjithë ata që janë në pritje të përgjigjes së negativizimit, drejtoresha e ISHP shpjegon se vonesat në dhënien e rezultatit të ritestimeve lidhen me prioritetin që i jepet rasteve të reja.

Në ISHP po instalohen pajisje të reja që ndihmojnë ekzaminimin më të shpejtë dhe sigurt të mostrave të marra nga pacientët e dyshuar me Covid. Listës së testimeve i shtohen çdo ditë për konfirmim final dhe ato të laboratorëve privatë të licencuar për të kryer këtë lloj ekzaminimi.