Shqipëri-Kosovë, dy qeveritë, marrëveshje për tregun e punës dhe pensionet

Shqipëria dhe Kosova do të përpiqen të unifikojnë tregjet përkatëse të punës, duke hequr barrierat që ekzistojnë sot për të punësuarit në të dy vendet. Gjatë vizitës së delegacionit të Kosovës, palët kanë arritur një marrëveshje për njohjen e diplomave të arsimit profesional dhe lehtësimin e procedurave për marrjen e lejes së qëndrimit dhe lejes së punësimit, masa pritet të konkretizohen në mbledhjen e ardhshme të përbashkët të dy kabineteve.

Shqipëria dhe Kosova do të angazhohen gjithashtu për njohjen e ndërsjellë të kontributeve shoqërore. Duke iu kthyer situatës së tregut të brendshëm të punës dhe gjendjes së biznesit, Ministrja e Financave, Anila Denaj, deklaroi se statistikat tregojnë për një rritje të punësimit dhe numrit të bizneseve, krahasuar me fillimin e pandemisë.

Por në terren, bizneset raportojnë një situatë krejt ndryshe, me një rënie drastike të konsumit që ka krijuar vështirësi të mëdha për mbijetesë. Qeveria vlerëson se goditja e pandemisë, do të zbutet përmes programit të subvencionimit të kontributeve për rikthimin në punë të punonjësve të larguar, si dhe përmes lehtësive fiskale që do të hyjnë në fuqi nga 1 Janari i vitit 2021.