Si “vdes” një anije ushtarake

Anija amerikane ushtarake “USS Durham”, e përdorur për transport mallrash, u “ekzekutua” nga vetë pjesëtarët e marinës në det të hapur, duke u mbytur pranë brigjeve të Havait. Anija, e nxjerrë në det për herë të parë më shumë se 50 vite më parë, ishte përdorur në luftën e Vietnamit, duke marrë disa medalje para se të dilte nga qarkullimi në vitin 1994.

Sipas marinës amerikane, kjo është mënyra sesi anijet ushtarake përfundojnë pasi kanë shërbyer. Një seri gjuajtjesh nga anije të tjera dhe nga ajri bënë që anija “USS Durham” të fundosej në Paqësor. Marina thotë se kjo mënyrë, e konceptuar edhe si stërvitje për trupat, u jep atyre idenë më të përafërt sesi është të qëllosh një anije kundërshtare në beteje.

“Ekzekutimi” i anijes ishte pjesë e një prej operacioneve më të mëdha stërvitore, të quajtur “Pacific Rim”, ku këtë vit, morën pjesë 22 anije, një nëndetëse dhe më shumë se 5000 personel ushtarak nga 10 shtete të ndryshme.