Takimi në Shtëpinë e Bardhë, O’Brien: Nga dialogu përfitojnë Kosova dhe Serbia

Qëllimi i takimit Kosovë-Serbi në Uashington është avancimi i paqes përmes bashkëpunimit ekonomik. Konfirmimi erdhi nga këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien, i cili me anë të Twitter-it, thekson se do të mirëpresë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin Avdullah Hoti dhe presidentin Aleksandër Vuçiç.

“Nga përkushtimi i dy liderëve për dialog do të përfitojë Serbia dhe Kosova”, thekson O’Brien.

Ndërkohë, më herët një këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, theksoi se bashkëpunimi ekonomik do të jetë një stimul që palët e të dyja vendeve të zgjidhin problemet e së kaluarës. Sipas tij, gjithkush e kupton se Prishtina e Beogradi kanë ngecur tek aspekti politik, duke folur për të njëjtat çështje pa ndonjë përparim.

“Presidenti Trump donte të shihte nëse duke u përqendruar te zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, kjo do të ndryshonte disi dinamikën e gjendjes. Për më shumë se një vit, ne jemi përqendruar krejtësisht te normalizimi ekonomik, për të gjetur një mënyrë që t’i nxisim palët që t’i lënë mënjanë çështjet politike”.

Ai përmendi marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor si shembuj, duke i quajtur ato “historike”. Këshilltari i Presidentit tha se në bisedimet me Kosovën dhe Serbinë të enjten dhe të premten Shtetet e Bashkuara do të përpiqen t’i çojnë më përpara këto marrëveshje.

I pyetur nëse presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në një farë mënyre në takim, këshilltari i posaçëm, nuk u përgjigj në mënyrë përfundimtare, por tha se ai është i përfshirë në proces dhe në diskutimet lidhur me çfarë mund të bëjë pala amerikane për t’u dhënë përparësi projekteve ekonomike.

Richard Grenell, i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun do të jetë i pranishëm në bisedime, bashkë më këshilltarin për sigurinë kombëtare Robert O’Brien dhe zyrtarët e tjerë të lartë të administratës.

Ndërsa Shtëpia e Bardhë refuzon të heqë paralele direkte mes përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, dhe rastit të Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që rivendosën lidhjet së fundmi, zyrtari i lartë që citohet nga CNN thotë se administrata Trump shpreson në rezultate të ngjashme.