U quajt hero se kishte shpëtuar 1200 persona nga masakra, arrestohet për terrorizëm

Ishte një nga figurat më të respektuara afrikane, fytyra pozitive gjatë një prej masakrave më të tmerrshme të shekullit XX, gjenocidi në Ruanda. Por Paul Rusesabagina u arrestua disa ditë më parë nga autoritetet ruandeze për akuza diametralisht të kundërta nga ato që e kishin shndërruar në hero dhe protagonist të filmit “Hotel Rwanda”.

Rusesabagina në 1994 ishte menaxheri i një hoteli në Kigali, i quajtur “Hotel des Milles Collines”, ku strehoi dhe shpëtoi nga vdekja rreth 1200 persona të etnisë Tutsi, të përndjekur nga ekstremistë të etnisë Hutu që në pak muaj masakruan një numër midis 500 mijë dhe një milion personash.

Vetë Rusesbagina ishte Hutu, i martuar me një Tutsi dhe historia e tij emocionoi gjithë botën në skenarin e filmit “Hotel Rwanda” , ku Rusesbagina interpretohej nga aktori Don Cheadle.

Ruandezi, që la vendin e tij në 1996 dhe emigroi fillimisht në Belgjikë dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, u dekorua në 2005 nga vetë presidenti i atëhershëm George W. Bush me Medaljen e Lirisë së Shteteve të Bashkuara.

Ai ka qenë i radhitur gjithmonë si një nga opozitarët e presidentit ruandez Paul Kagame, i cili që nga viti 2000 drejton vendin në mënyrë autoritare, por edhe frytdhënëse për ekonominë.

I akuzuar për krime të panumërta gjatë luftës civile, parregullsi në zgjedhje (që fiton me 99% të votave), presidenti i etnisë Tutsi ka kthyer stabilitetin në vend dhe ka afruar investime të shumta ndërkombëtare, duke shndërruar Ruandën nga vendi më i varfër në vitet ’90 , në një nga ekonomitë më dinamike të kontinentit.

Pamjet e Rusesabagina në pranga kanë bërë xhiron e botës. Ai akuzohet nga autoritetet se ka financuar dhe drejtuar një organizatë guerilase dhe terroriste (Rwanda Movement for Democratic Change) të akuzuar për vrasje dhe krime të ndryshme në Ruanda.

Sipas vajzës së tij, Tresor, akuzat janë të stisura dhe se i vetmi faj i të atit është guximi për t’iu kundërvënë “diktatorit” Kagame.