Dialogu Kosovë-Serbi, dy delegacionet kryejnë takime bilaterale në Shtëpinë e Bardhë

Është dita e takimeve bilaterale. Përpara tryezës së 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të bisedojnë veçmas me zyrtarë të qeverisë së presidentit amerikan, Donald Trump, kryesisht për çështje ekonomike.

Konkretisht ata do të tregojnë synimet e tyre në takimet me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo, këshilltarin për siguri kombëtare, Robert O’Brien dhe të emëruarin e posaçëm për dialogun, Richard Grenell. Hoti zbuloi dhe vijat e kuqe të delegacionit të tij, gjatë një prononcimi për median e Kosovës, T7, duke thënë se nuk do të ketë diskutime për ndryshime kufijsh dhe zgjidhja e vetme për dialogun është njohja reciproke Kosovë-Serbi.

Por duke qenë se në Uashington do të diskutohen kryesisht tema ekonomike, ekspertë të fushës në Prishtinë, kërkojnë që delegacioni i kryesuar nga Hoti të bëjë kujdes me trajtimin e dy resurseve të rëndësishme dhe vitale të vendit, siç është miniera e Trepçës dhe liqeni i Ujmanit.

“Fatkeqësisht disa nga burimet serioze kanë paralajmëruar që dy nga resurset më të rëndësishme, të pazëvendësueshme dhe vitale për Kosovën, siç është Ujmani dhe Trepça do të jenë objekt i bisedave. Nëse është paralajmëruar që ky takim do të ketë karakter të marrëveshjeve për marrëdhënie ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë, atëherë si çdo herë tjetër, prej vitit 2011 e këndej, kur kanë filluar bisedat teknike për të kaluar në ato politike me Serbinë, çështjet e brendshme dhe resurset ekonomike, prona dhe asgjë tjetër, pra nga Kosova që janë të mbrojtura dhe të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës si resurse të Kosovës, se të tilla kanë qenë dhe kanë mbetur dhe janë, nuk do të duhej në asnjë mënyrë që të jetë objekt bisede asnjë çështje e kësaj natyre”, tha Mazllum Baraliu, profesor i Universitetit të Prishtinës. “Qeveria e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme dhe nuk duhet të tolerojë në asnjë formë që të vihen në tryezë të diskutimeve këto dy çështje, Ujmani dhe Trepça, për shkak se janë pasuri të Kosovës”, thotë Emir Abrashi, nga “Democracy Plus”.

Ndërkohë, pas ballafaqimit në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiç do të takohen sërish më 7 shtator, por këtë herë në Bruksel, teksa Bashkimi Europian tenton të përmbyllë procesin e dialogut me një marrëveshje gjithëpërfshirëse të pranuara nga të dyja palët, që përfshin dhe njohjen reciproke.