Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Dialogu Kosovë - Serbi, politologu: SHBA do ta kthejë në binarin e duhur

Nga A2 CNN
3 Shtator 2020, 10:29 | Kosova
Dialogu Kosovë - Serbi, politologu: SHBA do ta kthejë në binarin

Ditën e nesërme pritet të rifillojë zyrtarisht dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të një marrëveshje mes dy shteteve.

Fokusi i takimit do të përqendrohet te marrëdhëniet ekonomike, por sipas politologut Shkumbin Beqiri, në Uashington mund të hapen dyert për një zgjidhje përfundimtare.

“Marrja e përgjegjësive nga ana e SHBA do të kthejë dialogun në binarin e duhur, nga momenti që me BE nuk u arritën rezultatet që priteshin nga qytetarët e Kosovës. Diskutimi për çështje ekonomike është qasje për t’i hapur rrugën një diskutimi që sjell në agjendë një zgjidhje përfundimtare. Po ta shohim, tregtia midis Kosovës dhe Serbisë nuk ka aq pengesa sa mund të mendohet”, thotë ai për A2.

Disa analistë mbajnë një qasje optimiste për 4 shtatorin, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara dhe veçanërisht administrata Trump ka nevojë për fitore diplomatike në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, por Beqiri nuk mendon se ky është faktor.

Sipas tij, “rasti i marrëveshjes Izrael - Emirate Arabe nuk është i ngjashëm. Edhe pse mund të jetë një kartë në favor të Trump, nuk është aq e rëndësishme në opinionin publik amerikan për ta përkthyer në terma elektorale”.

Gjithsesi, Beqiri mendon se nuk është i largët momenti i zgjidhjes, sepse “procesi është stërzgjatur dhe për BE dhe SHBA ka filluar të shndërrohet në problem kronik dhe duan ta zgjidhin, një zgjidhje që do të çohet përpara nga ndërkombëtarët më shumë sesa nga interesat e dy palëve, edhe pse Kosova në procesin e negocimit paraqitet mjaft dobët. Pala kosovare duhet ta shfrytëzojë takimin që të zhbëjë marrëveshjen e prillit 2019, sepse ajo zhbën të gjithë sistemin politik, nga ana tjetër duhet të paraqesë një platformë për respektimin e të drejtave të minoriteteve, që të bindë Serbinë dhe ndërkombëtarët”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë