Me maska e distancë, nis festivali i filmit në Venecia

Motorët e kinemasë vihen sërish në lëvizje. Edicioni i 77 i Festivalit të filmit në Venecia, u bë i pari aktivitet i këtij lloji që çeli siparin fizikisht që prej shpërthimit të krizës së koronavirusit. Maskat dhe distanca sociale ishin lajtmotivi i tapetit të kuq të këtij viti, ndërsa Italia kërkon zbatimin e një protokolli strikt mes rritjes së rasteve me koronavirus. Cilido që vjen nga jashtë zonës Shengen do të duhet të testohet para nisjes dhe pas mbërritjes në Lido, ishulli në lagunën veneciane ku zhvillohet tradicionalisht festivali më i vjetër i filmit në botë. Pjesëmarrësve u matet temperatura e një karrige në dy, do të lihet bosh.

Është e mrekullueshme që jemi sërish bashkë, tha aktorja dhe presidentja e festivalit, Cate Blanchet, për audiencën. Ajo falënderoi drejtorin e festivalit, Alberto Barbera, që arriti të organizonte eventin në kushtet e pandemisë, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e kinemasë. “Gjatë muajve të fundit, muaj që na janë dukur si vite në flluskat tona, i kemi ndjekur imazhet dhe historitë nga dhomat tona. Por mendoj se ka qenë një element jetësor që ka munguar dhe që është kthyer sërish sonte. Ai është ‘të mbledhurit në errësirë në pritje të një eksperience kolektive’. Kinemaja vjen në jetë kur ka një ngjarje”, tha Blanchet.

Për aktoren Tilda Swinton, e cila u nderua me çmimin e Luanit të Artë për arritjet gjatë karrierës, pjesëmarrja në ceremoni ishte një kënaqësi e pastër. “Për mua fakti që jam këtu sonte, në një sallë ku ka qenie të tjera njerëzore dhe një ekran të madh, është një kënaqësi e pastër. Është kaq bukur të shohësh sytë e tu të hapur e të gatshëm. Sy e veshë… goja nuk na duhet”, tha ajo.

Festivali do të vijojë deri në 12 shtator dhe në garë për Luanin e Artë janë 18 filma ndër të cilët vetëm dy janë prodhime amerikane, “Nomad Land” nga regjisorja kineze me bazë në SHBA, Chloe Zhao dhe “The World To Come”, me Casey Affleck. Në garë janë edhe 4 filma italianë, përfshirë “Notturno” i Gianfranco Rosi.