Provat e reja, Donika Prela fiton kohë në Kolegjin e Apelimit

Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosën të riçelin hetimin gjyqësor për ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela.

Në këtë mënyrë KPA pranoi të marrë në shqyrtim disa prova të reja të paraqitura nga Prela, aktualisht prokurore në Prokurorinë e Tiranës, gjatë përballjes me Shkallën e Dytë të vetingut.  Përmes tyre, ajo kërkon të rrëzojë pretendimet e ngritura nga Komisioneri Publik për pasuri të pajustifikuara e të padeklaruara.

Provat e reja nuk u vlerësuan bindëse për Komisionerin, i cili tha se i qëndronte vlerësimit për shkarkimin nga detyra të prokurores. Ndër të tjera, Komisioneri tha se Prela kishte mungesë burimesh financiare në blerjen e një apartamenti në Tiranë, ndërsa bashkëshorti i saj kishte shmangur taksat teksa paguhej me dy bordero në një kompani.

Problematike u konsideruan edhe dy transaksione me 25 mijë euro dhe 1.7 milionë lekë nga bashkëshorti i Prelës, shifra të pathëna në deklaratat e pasurisë. Ndërsa kërkesa e prokurores për përjashtimin nga trupa të gjyqtarëve Natasha Mulaj e Ina Rama, kërkesë që iu refuzua, u konsiderua nga Komisioneri si përpjekje e saj për të vonuar procesin.  Përballja e radhës e Prelës me KPA është caktuar në 11 shtator.