Shqipëria sfidon Bjellorusinë, Reja i druhet formës së skuadrës

rejaaa 1100x620

Pa eksperimente dhe pa ndryshime në rreshtimin e futbollistëve. Në këtë mënyrë, tekniku Edi Reja do të sfidojë Bjellorusinë në ndeshjen e parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Tekniku italian i druhet gjendjes së skuadrës, nisur nga koha e shkurtër e përgatitjeve për këto takime, por edhe mungesës së aktivitetit për një kohë të gjatë të kombëtares për shkak të pandemisë.

Gjithsesi, Edi Reja kërkon maksimumin nga kjo sfidë dhe për ketë ka vendosur të mbështetet te futbollistët më me përvojë.

“Sigurisht që nuk bëj eksperimente. Me shumë mundësi në fushë do jetë formacioni ynë i zakonshëm. Por kemi edhe mjaft prurje të reja që do të na ndihmojnë. Për fat të keq nuk kemi mundur të zhvillojmë miqësore për të parë gjendjen ndaj për këtë arsye kam besim tek “garda e vjetër” e kombëtares. Në Bjellorusi ka nisur futbolli dhe kundërshtari ynë ka formë më të mirë. Megjithatë kam besim te grupi, pasi ka punuar mirë dhe jemi gati të futemi në fushë për të marrë maksimumin”, është shprehur Reja në konferencën para takimit.

Shqipëria pritet të rreshtohet përballë Bjellorusisë me skemën e zakonshme 3-5-2. Në portë duket i sigurt Thomas Strakosha, ndërsa në prapavijë, atje ku kuqezinjtë vuajnë më së shumti mungesat, pritet të vendosen Gjimshiti, gjendja fizike e të cilit do të vlerësohet deri në fund, Veseli në qendër dhe Dermaku. Elseid Hysaj dhe Odise Roshi do të vendosen në krahët e mesfushës, ndërsa në qendër, krahas Bares dhe Gjasulës do të jetë një mes të riut Qazim Laçi ose Armir Abrashi. Dyshja e sulmit pritet të jetë ajo mes Armando Sadikut dhe Sokol Cikalleshit.