Vaksina amerikane, nga 1 nëntori për grupet e rrezikuara, vendimi i Trump gjykohet “i përshpejtuar”

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e vaksinimit të grupeve të caktuara të popullsisë kundër koronavirusit, pak ditë para zgjedhjeve të nëntorit.

Nju Jork Times bëri të ditur se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka njoftuar autoritetet shëndetësore në 50 shtete dhe 5 qytete të mëdha, të përgatiten për shpërndarjen e vaksinës te punonjësit e shëndetësisë dhe grupe të tjera të rrezikuara në fund të tetorit ose në 1 nëntor.

Udhëzimi është një tjetër sinjal i përshpejtimit të garës për krijimin e vaksinës kundër COVID-19 që ka vrarë më shumë se 184 mijë amerikanë. Siç mësohet, dokumentet u dërguan në të njëjtën ditë kur presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë fjalimit në konventën republikane se një vaksinë mund të mbërrijë para fundit të vitit.

Gjatë javës së fundit si mjeku Anthony Fauci, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, ashtu edhe Stephen Hahn që drejton agjencinë për ushqimin dhe ilaçet, kanë thënë në intervista të ndryshme se një vaksinë mund të jetë e disponueshme për grupe të caktuara para përfundimit të testeve klinike, nëse eksperimentet do të rezultojnë shumë pozitive.

 Por kjo ka ngjallur shqetësimet se administrata Trump po kërkon të nxitojë shpërndarjen e vaksinës, për qëllime elektorale, para zgjedhjeve të 3 nëntorit. Megjithatë, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, sqaron në udhëzimin e saj se plani ishte hipotetik dhe se mbështetej në nevojën për organizim mbi përpjekjen gjigante që do të mundësonte përdorimin e një ose dy vaksinave këtë vit.

Plani përmend dy vaksina, A dhe B të cilat mbi bazë të përshkrimeve përputhen me modelet që po krijohen nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.