Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

AAK gati të tërhiqet nga qeverisja: Nuk pranojmë një marrëveshje ku Serbia bëhet pjesë e resurseve tona

Nga A2 CNN
4 Shtator 2020, 16:47 | Kosova
AAK gati të tërhiqet nga qeverisja: Nuk pranojmë një

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar përmes rrjeteve sociale disa orë përpara nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike në Uashtington mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj shprehet se beson në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga SHBA por shton se AAK ishte shprehur kundër pikës ku Serbia bëhet palë e Ujmanit dhe për këtë arsye është e gatshme të dalë nga qeverisja nëse ajo bëhet qoftë dhe indirekt palë e resurseve të Kosovës.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson fuqishëm në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri ynë kryesor në arritjen e lirisë dhe shtetformim.
Ne kemi punuar shumë që të arrihet një marrëveshje normalizimi mes shteteve, bashkëpunim ekonomik deri në njohjen reciproke.

Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën.

Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje.
AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, u shpreh Haradinaj.

Nuk vonoi shumë dhe Haradinaj reagoi sërish, duke shkruar: “Unë nuk do të pranoj që Kosova të nënshkruaj marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë karshi Kosovës. Kosova duhet të marrë obligime dhe të drejta vetëm me ShBA, ku vetëm ShBA-të janë garantuese të sovranitetit dhe zhvillimit tonë. Ujmani është i yni dhe pranojmë bashkëpunim vetëm me ShBA-të për zhvillimin e energjisë dhe ujërave”, mbyllet reagimi i dytë i Haradinajt.

A2 CNN Livestream

Dita jonë