Ahmeti mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi: Kuriozë dhe optimistë, nuk do të ketë njohje, por lehtësira juridike drejt saj

Pak orë mungojnë nga mbyllja e dialogut Prishtinë – Beograd në Uashington, por analistët duken optimist për një marrëveshje fitimprurëse për të dy palët, që shkon edhe përtej fokusit ekonomik.

Sipas Arben Ahmetit, drejtor i televizionit Kanal 10 në Kosovë, “ajo që po ndodh po na bën shumë kuriozë dhe optimistë  për një rezultat kualitativ. Duket sikur ndërmjetësi  e ka pasur seriozisht, nuk kemi të bëjmë me dialog shterp, administrata Trump ka ndërmend t’i japë një shtysë normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës”, thotë ai për A2.  

Ahmeti tregon edhe disa prapaskena që mund të kenë drejtuar fatin e kësaj marrëveshje pikërisht drejt kryeqytetit amerikan. “Zoti Vucic ka pasur protesta në Serbi të financuara nga qarqe filo-ruse , dhe ka pasur përplasje për herë të parë të agjencive sekrete serbe dhe ato pro-ruse. Vucic po e bën këtë lëvizje si afrim me SHBA, por edhe për të shpëtuar pushtetin e tij”. Kjo, sipas tij, sepse “më shumë se akti i njohjes së Kosovës, për elektoratin serb ka rëndësi si njihet, pa poshtërim dhe për një përfitim të madh ekonomik”.

 Sipas gazetarit, “Nënshkrimi i sotëm nuk do të zyrtarizojë  njohjen e Kosovës, ose dorëzimin e Serbisë ndaj Kosovës, por do të jetë sigurisht dorëzim i Vucic ndaj SHBA. Ekzistojnë dy premtime për investime të fuqishme amerikane në Kosovë dhe Serbi nga SHBA, që do të varet nga si do të veprojnë këto dy shtete  në 3 vitet e jashtme” .

Për Ahmetin marrëveshja e bën de facto të njohur pavarësinë e Kosovës, dhe e shpjegon me një shembull. “Nuk ka marrëveshje ekonomike,  që sheh vendet thjesht si tregje, pa pjesën politike. Paramendoni lidhjen ajrore të kompanisë e Lufthansa që bashkon Prishtinën me Beogradin. Autoritetet në Beograd do t’i duhet të pranojnë dokumentet kosovare, një njohje de facto”, thotë gazetari.

Gazetari thotë se nga burimet të tij në Uashington, në marrëveshjen e sotme “njohja nuk është dakordësuar, por janë bërë lehtësira juridike drejt njohjes”.