Apeli i Tiranës në kolaps, “shkrihen” kolegjet, Gaxha “siklete” me pasurinë

Artur Gaxha është një nga 13 gjyqtarët e Apelit të Tiranës, ku në kushte normale duhet të ushtronin detyrën 31 gjyqtarë.

Këtë të premte ai u përball me komisionerët e vetingut. Gjatë verifikimit të tre kritereve, Komisioni u ndal gjatë tek pasuria e gjyqtarit. Hetimi administrativ kishte vërejtur mospërputhje në deklarimet për regjistrimin e një apartamenti të blerë 1 milionë lekë nga vjehrri, si edhe mungesë burimesh financiare në blerjen e një apartamenti 200 mijë euro në kryeqytet.

Mungesë burimesh financiare u pohuan edhe për blerjen e një garazhi e të një zyre, ndërsa një kompani ku bashkëshortja e tij ishte ortake me 49 për qind të kuotave rezultonte të kishte blerë pasuri të patundshme në shifrën 313 mijë euro. Në burimet e të ardhurave të gjyqtarit ishin edhe 84 mijë USD, fituara në një lotari në këtë shtet.

Gaxha nuk pati probleme për figurën apo profesionalizmin, ndërsa në shpjegimet e tij këmbënguli për pasuri të justifikuar.

Cilido qoftë vendimi ndaj tij në 10 shtator, Apeli i Tiranës është gjykata më pranë kolapsit për shkak të numrit të ulët të gjyqtarëve të mbetur në të.

Këtë të premte Këshilli i Gjykatës vendosi që gjyqtarët e Apelit të mos jenë të ndarë më në Kolegje Penale dhe Civile, pasi nga shkarkimet e dorëheqjet kishte mbetur vetëm një Kolegj Penal. Në vijim të gjitha çështjet do të hidhen në short mes gjithë gjyqtarëve.

Burime pranë Apelit konfirmuan se përparësi kanë vetë çështjet me afat, si masat e sigurisë, apo kërkesat për ekstradim. Ndërsa për dosjet e zakonshme, gjykata është duke shqyrtuar çështjet e vitit 2016. Kjo do të thotë që mijëra vendime të Shkallës së Parë, mes të cilave edhe ato për çështje pronësie, duhet të presin gjatë derisa të bëhen të zbatueshëm.