“Bojkot kampionatit dhe protesta në bulevard”, klubet e Kategorisë Superiore përsërisin kërkesat ndaj qeverisë

klubet 600x338

Klubet e Kategorisë Superiore kanë përsëritur sërish qëndrimin për bojkotimin e sezonit 2020-2021 pas mungesës së përgjigjes nga qeveria në lidhje me plotësimin e katër kërkesave bazë që ata kanë.

Pas takimit në Minsk të Bjellorusisë, Liga Profesioniste e Futbollit doli me qëndrim zyrtar.

“Sot, në mbledhjen e ligës së klubeve të Kategorisë Superiore të Shqipërisë, zhvilluar në Minsk të Bjellorusisë, morën pjesë 9 klube nga 10 gjithsej. Pas një diskutimi të kujdesshëm dhe serioz, ne presidentët e klubeve vendosëm njëzëri dhe me unanimitet të plotë të çojmë deri në fund luftën tonë për plotësimin e katër kërkesave drejtuar qeverisë një muaj më parë”, lexohet në deklaratë.

Kërkesat e klubeve janë si më poshtë:

a. Të ulet TVSH në masën 6%.

b.Të falen gjobat dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura.

c. Efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite.

d. Të miratohet Ligji i vërtetë i Sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si Ligj Sponsorizimi për Sportin.

2) Të apelojmë komunitetin e futbollit shqiptar, që debuton brenda e jashtë kufijve tanë shtetërorë, bashkësinë e sporteve të tjera, inteligjencën dhe shoqërinë shqiptare, të bashkohen me luftën tonë të drejtë e të ligjshme.

3) Ftojmë Qeverinë, në tavolinën e bisedimeve. Katër kërkesat tona janë një pjesë shumë e vogël e premtimeve gënjeshtare të kahershme e të përsëritura të qeverisë. Qeveria duhet të na dëgjojë dhe t’i plotësojë këto kërkesa minimale.

4) Ne nuk do tërhiqemi nga bojkoti ynë i kampionatit sa kohë nuk do dëgjohemi. Në datën 12 shtator kampionati ynë i Kategorisë Superiore nuk do të luhet. Ne do të protestojmë me qytetari e vendosmëri në bulevardet e Shqipërisë dhe nuk do të kthehemi më në fushat e blerta të stadiumeve, pa u përmbushur të katër kërkesat tona. Ne do të bëjmë të njohur për opinionin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar gjendjen katastrofike të klubeve shqiptare për shkak të politikave të gabuara e të papërgjegjëshme të shtetit dhe qeverisë shqiptare.