Makina merr përpara protestuesit në “Times Square”

Policia e Nju Jorkut ka nisur hetimet pasi një makinë u fut mes turmës së protestuesve, duke plagosur disa prej tyre. E gjithë ngjarja u filmua të enjten në mbrëmje në “Times Square”, ku protestues të lëvizjes Black Lives Matter po protestonin për vdekjen e 41-vjeçarit Daniel Prude, pas arrestimit dhe vendosjes së një kapuçi në kokë. Ngjarja kishte ndodhur në muajin mars, por video e plotë e arrestimit dhe vdekjes së tij u publikua vetëm një ditë më parë.

Fillimisht u raportua se makina që goditi protestuesit kishte brenda efektivë policie të veshur civilë, por Policia e Nju Jorkut i mohoi kategorikisht akuzat, duke thënë se ka nisur një hetim ndaj incidentit, edhe pse shoferi nuk është identifikuar ende.