Marrëveshja në Uashington, Mustafa: Kosova, e bekuar për miqësinë me SHBA

mustafa isa 1100x620

Kreu i LDK, Isa Mustafa reagoi në rrjetet sociale pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA, në praninë e presidentit Trump.

Mustafa vlerësoi kryeministrin Hoti dhe qeverinë e tij dhe shtoi se Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo u dëshmua edhe një herë.

“Kosova është e bekuar me miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo u dëshmua edhe një herë sot, me nënshkrimin e marrëveshjes së negociuar nën drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Si Kryetar i LDK-se, dëshiroj te falënderoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sidomos Presidentin Trump për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes.

Po ashtu, përgëzoj Kryeministrin Hoti dhe Qeverinë e Kosovës për këtë arritje të madhe në interes të Republikës së Kosovës. Kryeministri dhe Qeveria, me maturi e përkushtim , në pak javë, arritën ta ribëjnë Kosovën partner të besueshëm të aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, prandaj ky Kryeministër dhe Qeveria e tij meritojnë mbështetje në rrugëtimin që kanë nisur”, shkruan Mustafa.