Ndoka: Rilindja e ka të pamundur një mandat tjetër

Nard Ndoka, kreu i Partisë Demokristiane, deklaroi në studion e “Ditari” në A2 se beson dhe shpreson që data e zgjedhjeve të caktohet 18 prilli, “data më e afërt për gjykimin me votë popullore, pasi çdo ditë është kosto shumë e madhe me këtë mazhorancë në qeverisje”.

“Prilli është optimal për t’u vendosur si standard edhe në të ardhmen”, shtoi Ndoka.

Në lidhje me Marrëveshjen e 5 Qershorit, Ndoka u shpreh: “Koalicionet janë të përcaktuara në Kodin Zgjedhor, nëse prishen ato, duhet t’i rikthehemi Kodit Zgjedhor dhe të hedhim poshtë atë që është miratuar. Nuk është normale dhe është antikushtetuese që të prishim rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme. Është një provokim momenti i Ramës që kaloi me gushtin”, tha Ndoka.

Sipas Ndokës, “Rilindja e ka në kufijtë e pamundësisë një mandat tjetër”.

“Është një mazhorancë e degraduar dhe e korruptuar në çdo qelizë të saj. Rotacioni është domosdoshmëri për vendin, edhe Rama e ka kuptuar një gjë të tillë”, theksoi kreu i PDK-së.