Tensionet në Mesdheun lindor, Greqia: Dialogojmë me Turqinë kur të ndalë provokimet

mikotakis 1100x620

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i kërkoi Turqisë të ndalë provokimet, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut.

Deklarata e tij vjen pas njoftimit të NATO-s, se të dyja vendet janë pajtuar për nisjen e bisedimeve për zbutjen e tensioneve në Mesdheun Lindor. “Nga të gjitha deklaratat që z. Erdogan ka bërë, do të ndalesha vetëm tek njëra prej tyre; ajo për dialogun. I përgjigjem me 6 fjalë të qarta: ndaloni provokimet që të nisim bisedimet”, deklaroi kryeministri grek.

Ai tha se ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, do të informojë Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres mbi “veprimtarinë e paligjshme” të Turqisë. Greqia mohoi të enjten vonë se kishte rënë dakord të zhvillonte bisedime me Turqinë, të ndërmjetësuara nga NATO -ja, për të ulur tensionet mbi kufijtë detarë dhe të drejtat e kërkimit të gazit dhe naftës në rajon.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më herët kishte thënë se të dy aleatët e NATO-s kishin “rënë dakord të fillojnë bisedime teknike në NATO për të krijuar mekanizma që do të zvogëlonin rrezikun e incidenteve në Mesdheun Lindor”.

Sipas ministrit të jashtëm turk, Mevlut Cavushoglu, grekët treguan se nuk janë në favor të dialogut duke refuzuar propozimin për bisedime pa kushte lidhur me tensionet në Mesdheun lindor.

Tensionet mes dy vendeve janë rritur pasi Turqia më 10 gusht dërgoi anije kërkimore dhe ushtarake në Mesdhe. Greqia dhe Qipro thonë se ky veprim ka shkelur sovranitetin e tyre, me Athinën që u kundërpërgjigj duke zhvilluar stërvitje detare me aleatë të BE-së dhe Emirateve të Bashkuara arabe.