Balaj dhe Roshi: Japim gjithmonë 100%, s’ka rëndësi kush luan, fitorja synimi

balaj 1100x620

Dyshja e kombëtares, Odise Roshi dhe Bekim Balaj dolën në një konferencë për shtyp këtë të shtunë, menjëherë sapo mbërritën në Shqipëri pas triumfit 0-2 të mbrëmjes së kaluar ndaj Bjellorusisë.

Të dy futbollistët u shprehën të lumtur për pikët, ndaj një kundërshtari të vështirë, siç thana ata, ndërsa tashmë duhet të mendohet për Lituaninë.

“Na ngroh 3 pikëshi. Ishte një fitore jashtë fushe që na jep moralin e duhur për këtë kompeticion dhe mendoj se jemi në rrugën e duhur. Pas 2 ditësh kemi edhe ndeshjen tjetër dhe nuk kemi shumë kohë të gëzohemi”, u shpreh Bekim Balaj.

“Me Bjellorusinë nuk ishte një ndeshje e lehtë, por ekipi bëri një ndeshje shumë të mirë dhe në gëzojnë 3 pikët. Lituania nuk duhet të nënvlerësohet. Të marrim një 3 pikësh tjetër dhe të mendojmë për turnin e radhës”, tha Roshi.

Më tej, ata u pyetën edhe për zgjedhjet e trajnerit në Bjellorusi, ku të dy e nisën ndeshjen nga stoli, por theksuan se e rëndësishme është fitorja e skuadrës.

“Të gjithë kanë dëshirë ta nisin ndeshjen titullar, por trajneri vendos. Në fund arritëm fitoren dhe kjo na kënaq të gjithëve. Dëshira është e madhe të shënoj golin e parë në stadiumin e ri. Për fat të keq mungojnë edhe tifozët dhe gëzimi i golit nuk është i njëjtë. E rëndësishme është ta fitojmë këtë ndeshje, pak rëndësi ka kush fiton”, tha Balaj.

“E kemi thënë gjithmonë që sa herë na jepet mundësia japim 100%, pavarësisht minutave që na aktivizon trajneri”, u shpreh Roshi.