Ish-lojtarit të Gjermanisë i gjenden fotografi me fëmijë të abuzuar seksualisht

metzelder 1100x620

Prokurorët në Gjermani kanë ngritur akuza kundër ish-lojtarit të kombëtares, Christoph Metzelder, pasi në zotërim të tij u gjetën fotografi të shumta me abuzime seksuale të fëmijëve. 39-vjeçari befasoi të gjithë vitin e kaluar kur u akuzua se i kishte dërguar fotografi të ngjashme një gruaje në WhatsApp. Tani, sipas “Bild”, një tjetër grua e akuzon ish-futbollistin e Borussia Dortmund dhe Real Madrid, për të njëjtën gjë.

Prokurori i Përgjithshëm i Dyseldorfit thuhet se vendosi të ngrinte zyrtarisht akuzat pasi në telefonin e tij celular u gjetën 30 fotografi inkriminuese. Por i takon Gjykatës së qytetit të vendosë nëse Metzelder do të dalë në gjyq.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij u sekuestruan edhe kompjuterat e ish-futbollistit, i cili akuzohet tashmë për zotërim dhe shpërndarje të materialeve ku tregohen abuzime seksuale me të mitur. Vetë Metzelder nuk ka komentuar mbi zhvillimet e fundit.

Metzelder ka luajtur 48 ndeshje me kombëtaren gjermane dhe ka qenë një prej figurave më pozitive të skuadrës. Në vitin 2006 ai ngriti edhe një Fondacion me emrin e tij, për të ndihmuar fëmijët e familjeve në nevojë në Gjermani.