Shenjtërimi i Nënë Terezës, Arkiva nxjerr në dritë për herë të parë letrën shqip

Tre dorëshkrime të Nënë Terezës, përfshi një letër e cila vjen për herë të parë në origjinal për sytë e publikut, u ekspozuan në përvjetorin e shenjtërimit të saj në COD, nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje.

Letra që ekspozohet për herë të parë në origjinal daton në tetor 1989 dhe përmban pasazhe shqip. Ajo ka qenë në fondin e papërpunuar të Ramiz Alisë dhe u evidencua gjatë procesit të përpunimit vetëm pak ditë më herët.

“Zemra jeme ka ni dishir të madhe me ardh në Shqipni”, shkruante Nënë Tereza në letrat e saj, dorëshkrime të cilat ruhen në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

Drejtori Ardit Bido tha se fjalët e saj në gjuhën amtare përmbajnë simbolikën e mbrujtjes së traditës së kombit nga vjen, që i mundësoi të bëhej përtej kombeve shenjtorja e të varfrit dhe të vobektit, e humanizmit dhe e dhembshurisë, e mbi të gjitha Shenjtorja e dashurisë së njeriut ndaj njeriut.

“Çdo njeri ka nevojë për respekt, për dashuri pavarësisht nga situata e tij. Çdo njeri ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Ky është besoj unë kontributi i madh i saj dhe prandaj ka merituar çmimin Nobel për Paqen”, u shpreh Imzot George Frendo.

Kryeministri Edi Rama tha se trashëgimia që Shën Tereza na la dhe porosia e saj për të ndezur një qiri në vend se të mallkojmë errësirën, janë një burim drite e frymëzimi për të lënë gjurmën tonë në rrugën e kësaj jete që na është dhënë përkohësisht.

***

Ndërkohë Arqipeshkvi i dioqezës Shkodër Pult, Imzot Angelo Massafra vizitoi shtëpinë e murgeshave misionare.

Ato strehojnë dhe kujdesen për fëmijë dhe të rinj me probleme të rënda fizike dhe mendore. Massafra zgjodhi këtë ditë të shënuar për të kremtuar meshën me ta në shenjë falenderimi për punën e jashtëzakonshme që bëjnë këto murgesha.

Motër Zoja Maria tha se për to është një kënaqësi që të punojnë me personat me aftësi ndryshe nën shembullin e Nënë Terezës.

Imzot Angelo Masafra beri thirrje për të gjithë njerëzit që të ndihmojnë dhe tregojnë humanizëm ndaj çdokujt që ka nevojë për mbështetje.