Sondazh: Sa ju kanë funksionuar dietat e shpejta pranverore?
  • Gjithmonë 18%
  • Me raste 45%
  • Asnjëherë 36%

Debati për të papunët, politika dhe institucionet të ndarë për bilancin

Nga A2 CNN
6 Shtator 2020, 17:59 | Ekonomi

Numri i personave që kanë humbur punët dhe i bizneseve që janë mbyllur nga pandemia është prej ditësh çështja në qendër të debatit ekonomik në vend. Bilanci final sipas opozitës llogaritet në afro 100 mijë të papunë më shumë, ndërsa qeveria nga ana tjetër deklaron një rritje me 3 mijë të punësuar, kur vetë të dhënat e institucioneve shtetërore deklarojnë të kundërtën. Por cila është shifra reale?

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është institucioni ku bizneset e mëdha deklarojnë bilancet dhe listë-pagesat çdo muaj, ndërsa të vegjlit raportojnë në mënyrë periodike, ku korriku përkon me një nga këto data. Për këto arsye, ky institucion ka të dhëna të mjaftueshme për të raportuar mbylljen e 32 mijë bizneseve dhe 57 mijë vendeve të punës, krahasuar me fillimin e pandemisë.

Por këto të dhëna, ministri Arben Ahmetaj i quan fantashkencë të injorancës ose trillime të liga; duke dhënë shifrat e veta me 14 mijë të punësuar më pak dhe 3 mijë biznese më shumë.

Ndërsa ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj jep një shifër tjetër për gjendjen e tregut të punës.

“Në fund të gushtit, rezultojmë me një numër më të rritur të të punësuarve nga fillimi i pandemisë, normalisht jo relativisht vitit të kaluar që nuk kishte pësuar një goditje të tillë, por të paktën mund të themi se turizmi e dha efektin e parë me rikthimin në treg të punonjësve me 3000 persona”, deklaroi Denaj.  

Por problemi është pikërisht te fakti që të dhënat e tregut të punës duhet të krahasohen vetëm me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo për shkak se gjithmonë në verë, në Shqipëri janë regjistruar ndjeshëm më shumë të punësuar. Sipas INSTAT, në fund të verës së kaluar kishte 699 mijë të punësuar, apo 25 mijë veta më shumë se kjo verë. Gjithashtu, personat që punësohen në verë kryesisht në hoteleri-turizëm nuk janë ata që humbën punët në sektorë si fasonët, tregtia apo nga bizneset e vogla.

Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, i referohet një studimi të Bankës Botërore për 100 mijë vende pune të humbura. Por kjo shifër mbështetet në projeksione në bazë të skenarëve më negativë.

Institucione të tjera zyrtare, si ai i Sigurimeve Shoqërore deklarojnë 30 mijë kontribues më pak nga biznesi; shifër së cilës i shtohen 15 mijë të vetëpunësuar më pak në bujqësi, një sektor i cili është anashkaluar nga të gjitha bilancet e mësipërme.

Institucioni që ka fjalën e fundit në këtë debat është INSTAT, që në 10 shtator publikon të dhënat e tregut të punës. Por shifrat do t’i përkasin tremujorit të dytë prill-qershor dhe me shumë gjasa do të kundërshtohen sërish nga palët, në një debat që në vend të numrave duhet të kishin në qendër qasjet për të rikthyer sa më parë në punë ata që sot nuk kanë asnjë të ardhur.

A2 CNN Livestream

Dita jonë